
Real Madridi po bën lëvizje në treg në prag të Kupës së Botës për Klube dhe sezonit të ardhshëm. Pas mbërritjes së Huijsen dhe Alexander-Arnold, klubi po punon për të siguruar Alvaro Carreras dhe një mesfushor të ri. Por nuk bëhet fjalë vetëm për blerje, midis largimeve të mundshme, bie në sy emri i Rodrygo.
Ai përfundoi një sezon me ulje-ngritje, midis problemeve muskulore dhe performancave nën pritjet, ai humbi qendrën në projektin teknik, pavarësisht se kishte shënuar 13 gola në afërsisht 3,300 minuta të luajtura. Ardhja e Mbappe-s ia ka zvogëluar hapësirën, dhe kalimi i Ancelottit në formacionin 4-4-2 e ka përjashtuar atë nga treshja sulmuese me Vinicius dhe Bellingham. Në fund të sezonit, Rodrygo la të kuptohej se kishte dyshime për të ardhmen e tij me një koment në DAZN:
“Çdo gjë mund të ndodhë...”. Vëmendja është kthyer nga braziliani në Premier League, ku Chelsea, Arsenali dhe mbi të gjitha Manchester City po e ndjekin situatën. Guardiola, në veçanti, ka qenë prej kohësh një admirues i tij.
Vendimi përfundimtar do të varet nga një takim i afërt me trajnerin e ri Xabi Alonso, i cili në konferencën e tij të prezantimit e quajti Rodrygon “një lojtar spektakolar që do të na duhet”. Por një përballje e drejtpërdrejtë do të sqarojë nëse braziliani është pjesë e planeve të ardhshme te “Galaktikët”. Për momentin, Rodrygo është duke pritur Xabi Alonson, përpara se të zgjedhë fatin e tij.