
Mario Balotelli është rithyer të flasë për karrierën e tij futbollistike. Italiani së fundmi ka dhënë një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”.
35-vjeçari ka theksuar se e ka ëndërr të luajë me Real Madrid, ndërsa nënvizoi se pot ë përkushtohej më shumë te Barcelona do të bëntë akoma më mirë. Ndër të tjera ka treguar pengun e tij që të luante më shumë ndeshje me Italinë, por sipas tij disa njerëz nuk kanë dashur që ai të veshë fanellën e “Azzurrëve”.
“Kam një ëndërr, të luaj për Real Madridin.
Realiteti? Thjesht po kërkoj një klub që do të ketë besim tek unë. Dua të luaj edhe dy ose tre vite të tjera. Pastaj, pas kësaj, do të shkoj të luaj me vëllain tim Enock, i cili aktualisht është te skuadra amatore Vado. Do të shohim. Në çdo rast, kam premtuar që do ta mbyll karrierën duke luajtur përkrah tij.
Nuk shikoj futboll në TV, nuk mbaj ritmin e ngjarjeve. Jam i dashuruar me lojën e futbollit, por shumë gjëra po ndryshojnë. Shoh këta lojtarë të mëdhenj e të gjatë, por askush nuk kalon më kundërshtarët me driblim. Sot, nëse një fëmijë provon një ‘nutmeg’, qortohet.
Pengje? Kam kaluar një periudhë te Barcelona, që mbeti një ëndërr, por pastaj Massimo Moratti ofroi më shumë për Lumezzane, kështu që shkova te Interi. Ishte e mrekullueshme në Barcelonë, isha me vëllezërit Dos Santos, Thiago Alcantara, Bojan Krkic. Kishim liri për të luajtur. Na mësonin vetëm teknikën, si të ndalonim topin, pasimet e para, pa taktikë. Ishte një kënaqësi të shkelje në fushë.
Në përgjithësi, mund të kisha dhënë më shumë nëse do të përpiqesha. Pengu i madh është Kombëtarja, mund të kisha luajtur më shumë për Italinë. Nëse do të kisha më shumë mundësi, ndoshta do t’i isha afruar numrit të golave të Gigi Riva-s. Disa njerëz nuk donin që unë të vishja fanellën e Azzurrëve. Gjithsesi, ajo është një e kaluar tani”, ka deklaruar Balotelli.