
Ditën e djeshme, një prej emrave më të mëdhenj në historinë e futbollit kroat, Ivan Rakitic “vari këpucët” në gozhdë. Ish-mesfushori i talentuar vendosi ta mbyllte përfundimisht me futbollin e luajtur.
Me një videomesazh në instagram, Ivan Rakitic ka lexuar një letër shumë emocionuese. "Futboll i dashur, shok besnik i jetës. Që nga topi i parë i shkelmuar në fushat e Möhlin, në Zvicër, deri te stadiumet më të mëdha në botë, ti ke qenë gjithmonë aty.
Ti ke qenë një ëndërr, një sfidë, një familje. Më ke dhënë gjithçka. Në Basel më bëre të besoja se gjithçka ishte e mundur. Në Schalke më mësove të rritesha, të përballesha me botën larg shtëpisë.
Në Sevilla më dhe një dashuri të thellë, shiritin e kapitenit, trofeun e parë evropian, por mbi të gjitha gruan time, nënën e vajzave të mia. Me ty ndërtova familjen time.
Pastaj më çove në parajsë, në Barcelonë jetova një ëndërr. Luajta me më të mirët, fitova gjithçka, thitha magjinë e ‘Camp Nou’. Dhe kur mendova se kishte mbaruar, më ktheve aty ku filloi gjithçka, në Sevilla.
Një rreth që mbyllet, një falënderim i thënë nga zemra. Dhe përsëri, një aventurë e re në Al Shabab, miq të rinj, horizonte të reja. Dhe së fundmi, dhurata më intime, kthimi në rrënjët e mia, duke luajtur në Kroaci, me Hajduk Split.
Por asgjë nuk ishte si të vishja fanellën e ekipit tim kombëtar. Të çoja Kroacinë në finalen e Kupës së Botës, një ëndërr që do të zgjasë përgjithmonë. Faleminderit futboll. Më dhe një jetë. Tani të them lamtumirë, por ti nuk do të më lësh kurrë", shprehet Rakitic.
View this post on Instagram