
Klubi ukrainas, Metalist 1925 është “tronditur” mëngjesin e sotëm, pas një sulmi ajror në ambientet sportive ku ndodhet akademia e saj. Sipas klubit, sulmi ajror ka qenë nga Rusia, por për fat të mirë ka vetëm dëme materiale.
Kujtojmë se në ekipin ukrainas, luajnë edhe katër ish-futbollistë të Superiores. Ermir Rashica, Baton Zabërgja, Itodo Mandela dhe Christian Mba, aktivizohen me Metalist 1925.
NJOFTIMI:
Akademia e “Metalist 1925” u dëmtua gjatë një sulmi ajror gjatë natës në Ukrainë. Sot, rreth orës gjashtë të mëngjesit, gjatë një sulmi ajror nga armiku ndaj Ukrainës, u dëmtua akademia e klubit “Metalist 1925”. Një dron “Shahed” ra në fushën stërvitore që klubi e merr me qira nga Kolegji Olimpik Profesional me emrin e “Ivan Poddubny”. Si pasojë e kësaj, shpërtheu një zjarr, i cili u arrit të shuhet shpejt.
Të gjithë të rinjtë e akademisë “Metalist 1925”, të cilët aktualisht jetojnë, mësojnë dhe stërviten në Kiev, rreth 120 futbollistë të rinj, gjatë alarmit ishin në strehim, kështu që askush nuk u lëndua.
Aktualisht, “Metalist 1925” së bashku me drejtuesit e kolegjit po vlerësojnë dëmet e shkaktuara nga sulmi dhe tashmë po planifikojnë rikuperimin sa më të shpejtë të fushës së futbollit.
Procesi stërvitor dhe garues i të rinjve të akademisë “Metalist 1925” do të vazhdojë sipas planit në fusha të tjera.