Real Madrid rrezikon seriozisht të mbyllë sezonin e dytë radhazi pa trofe. Kjo është situata “dramatike” që paraqitet në kampin e mbretërorëve, të cilët kanë mbetur të pashpresë, pas eleminimit të rëndë ndaj Bayern Munich në dy ndeshjet çerekfinale të përfunduara në shifrat e përgjitshme 6-4.
Për të kuptuar tensionin që po përjetohet te “Los Blancos”, SPORT shkruan për një prapaskenë që ka përfshirë presidentin Florentino Perez, i cili nuk kurseu askënd prej lojtarëve në dhomat e zhveshjes pas përfundimit të takimit në “Allianz Arena” në favor të gjermanëve.
Fjalët e tij u shoqëruan me kritika të forta drejt futbollistëve, duke i kërkuar llogari për gjendjen në të cilën ekipi ka përfunduar, kur që në nisje të këtij sezoni pritshmëritë ishin të mëdha për të mos përsëritur të njëjtin skenar të edicionit të kaluar.
“Përpjekjen tuaj e vlerësoj, por ky sezon ka qenë një zhgënjim total për të gjithë ne. Ju tashmë e dini se çfarë kërkohet kur vesh fanellën e Realit. Një sezon pa tituj është dështim sepse ne jemi Real Madrid, por kur janë dy, kjo është e patolerueshme”, kanë qenë komentet e Perez drejtuar të tijëve.
Eleminimi i hershëm në Kupën e Mbretit dhe ky i radhës në Champions, bëjnë që te Reali të kthejnë sytë në kampionat për të shpresuar të ndodhë një mrekulli, pasi distanca me Barcelonën kryesuese nuk është pak por plot 9 pikë, kur kanë mbetur dhe 6 javë për t’u luajtur deri në fund të sezonit në La Liga.
Përtej çdo skenari të papritur, fati i shumicës brenda në klub duket të jetë i shkruar, pasi shumë futbollistë do të “sakrifikohen” për t’i bërë vend transferimeve të reja, ndërsa stoli do t’i besohet një emri të madh pasi Alvaro Arbeloa nuk premton më për vazhdimësinë.

