
Siç është bërë e ditur, pak ditë më parë Unioni i Lojtarëve dhe Liga Botërore i dërguan një kërkesë FIFA-s që të heq dorë nga Botërori i Klube. Nuk ka vonuar shumë përgjigja e FIFA-s, kjo e fundit në fakt është shume qartë në qëndrimin e saj.
Kupa e Botës për Klube nuk diskutohet dhe do të zhvillohet në verën e ardhshme. FIFA, në përgjigjen e saj bën të qartë se kalendari i ndeshjeve është i mirëmenduar ndërsa kalon në kundërsulm kur thekson se për lojtarët nuk ka asnjë problem të zhvillojnë turne të ndryshëm në verë, ndërsa për Botërorin e Klubeve janë kundër.
FIFA bëri një tjetër sqarim për përfitimet që vijnë nga Botërori i Klubeve. Sipas saj të gjitha të ardhurat do të shkojnë për zhvillimin e futbollit dhe është shprehur e hapur që të ketë një bashkëbisedim mes Unionit të Lojtarëve dhe Ligave Botërore përpara kongresit që do të mbahet më 17 maj në Bangkok të Tajlandës, megjithatë thekson në fund të përgjigjes se Botërori i Klubeve nuk është në pikëpyetje dhe se eventi në Amerikë, verën e ardhshme do të zhvillohet pa më të voglin dyshim.