
Raphael Varane ditën e sotme njoftoi pensionimin nga futbolli i luajtur. Mbrojtësi vendosi të mbyllë në moshën 31-vjeçare aventurën e tij si futbollist aktiv.
Një vendim i papritur, i cili po bën shumë bujë. Në lidhje me këtë ka reaguar trajneri i Francës, Didier Deschamps. Timonieri i “Gjelave” ka theksuar se është një vendim i vështirë, ndërsa tregon se fjala e Varanë është dëgjuar gjithmonë nga shokët e skuadrës në dhomat e zhveshjes.
“Raphael ka zgjedhur t'i japë fund aventurës së tij në futbollin aktiv. Unë e di se ky vendim është gjithmonë i vështirë. Raphaeli u vendos menjëherë si një lider në fushë, por edhe jashtë saj. Mendimi i tij u dëgjua dhe u respektua nga të tjerët dhe kishte një bashkëpunim të përsosur me kapitenin, Hugo Lloris.
Raphael luajti një rol të rëndësishëm si në Botërorin 2018 ashtu edhe në 2022. Në ekipin kombëtar, por në përgjithësi kudo që shkoi, ai gjithmonë ka lënë një kujtim të një profesionisti të madh. Për këtë dhe gjithçka tjetër e falënderoj nga zemra, i uroj që të jetë i lumtur në sfidat e reja që do të zgjedhë, ndoshta do të arrijë t'i përkushtohet familjes, që do të thotë shumë për të”, ka deklaruar Deschamps.