Klubi për të cilin luan ylli portugez, Cristiano Ronaldo, Al-Nassr po përballet me një ndalim të ri transferimesh të vendosur nga FIFA, pak para hapjes së afatit kalimtar të janarit.
FIFA e përditësoi regjistrin e tij dhe e vendosi klubin saudit në një listë të atyre që u ndalohet të regjistrojnë lojtarë të rinj, me sanksionin që do të fillojë më datën 19 dhjetor. Ndryshe nga dënimet e zakonshme që zbatohen për një numër të caktuar afatesh kalimtare, FIFA ka deklaruar se ndalimi i Al-Nassr do të zgjasë "derisa të revokohet", gjë që sjell shumë pasiguri për klubin në mes të planifikimit për pjesën e dytë të sezonit.
Situata është komplikuar më tej nga fakti se Al-Nassr nuk është i vetmi klub i prekur nga ndalimet e FIFA-s, pasi janë dhe klube të tjera si Al Shabab, Damac dhe Al Riyadh.
Rikujtojmë se kjo nuk është hera e parë që klubi nga Riadi përballet më këto masa nga FIFA pasi dhe në korrik 2023, vetëm disa muaj pas mbërritjes së Cristiano Ronaldos, Al-Nassr u përball me një ndalim të ngjashëm.Problemi në atë kohë buronte nga detyrimet e papaguara që lidheshin me transferimin e Ahmed Musës nga Leicester City në vitin 2018.
