Një vendim i papritur ka tronditur botën e futbollit. Ish-futbollisti i Peterborough United, Oscar Wallin ka vendosur të pensionohet nga futbolli.
Është vetëm 24-vjeç dhe “var këpucët në gozhdë”, duke mbyllur këtu aventurën e tij si futbollist në fushën e blertë. Lajmin e bëri të ditur vetë mbrojtësi, i cili për mediat suedeze “Sundsvalls Tidning” tregoi se ka ndërprerë kontratën me skuadrën e divizionit të 3-të anglez, Peterborough United. Mbrojtësi u bë pjesë e anglezve në 2024 dhe me ta luajti në 45 ndeshje.
“Nuk kam më dëshirë. Teknikisht, mund të kthehem përsëri, por nuk kam dëshirë për këtë për momentin.
Nuk kam asnjë interes të luaj as në Suedi. Ndihem sikur dua të bëj gjëra që i kam sakrifikuar ose lënë pas dore gjatë 15 viteve të fundit sepse kam luajtur futboll, kështu që, po, tani kam ndaluar së luajturi.
Nuk kam planifikuar kurrë asgjë në futboll. Thjesht i kam marrë gjërat ashtu siç erdhën, por e dija prej kohësh se nuk do të luaja deri në moshën 35 vjeç. Tani jam ndalur në moshën 24 vjeç, por mund të kishte qenë 27 ose 22 vjeç”, ka theksuar suedezi
