
Carlo Ancelotti ka folur në konferencën për shtyp para mediave, në prag të ndeshjes që do të luajnë në Champions League përballë Bayern Munich në transfertë. Për italianin ky është një rikthim në “Allianz Arena”, pasi në të shkuarën ka mbajtur rolin e trajnerit te bavarezët. Ancelotti tregon se në Mynih ka kujtime të bukura, por edhe të hidhura.
“Është emocionuese për mua të rikthehem në Gjermani përballë Bayernit. Kam kujtime të bukura, por edhe të hidhura njëkohësisht për shkak të shkarkimit. Por, ndeshja e së martës do të jetë një histori tjetër dhe mua më duhet të mendoj për të tashmen dhe jo për të kaluarën”, tha fillimisht Ancelotti.
Si ka ndryshuar Reali në sulm?
“Largimi i Benzema ndryshoi paksa taktikat sepse tani skuadra është më shumë e lëvizshme dhe është e paparashikueshme. Nga ana tjetër, edhe Bayerni ka sulmues të mëdhenj, mjafton të përmendim Harry Kane. Përballen dy skuadra plot me lojtarë të mëdhenj dhe shumë histori”.
A keni vendosur bast me Vlaverden?
“Jo, këtë vit nuk kemi vendosur bast. Valverde ka zhvilluar një sezon shumë të mirë, dhe ia ka dalë në të gjitha rolet që ka luajtur. Është një lojtar që më pëlqen shumë”.
Ndeshja me Manchester Cityn?
“Kam riparë vetëm penalltitë pasi nga fusha nuk guxova t’i ndiqja”.
Kujtojmë që Bayern Munich do të presë në shtëpi këtë të martë Real Madrid, për të luajtur ndeshjen e vlefshme për gjysmëfinalet e Champions League. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Allianz Arena”, do të startojë në orën 21:00.