
Real Madrid barazoi në ndeshjen e parë çerekfinale përballë Manchester Cityt. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Santiago Bernabeu”, përfundoi me rezultatin 3-3, ku nuk mungoi aspakt spektakli nga të dyja ekipet.
Diçka të tillë e thotë edhe vetë trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, i cili e cilëson këtë ndeshje si reklamë për futbollin. Por tekniku italian nuk kursen aspak as kritikat për arbitrin e ndeshjes, duke thënë se ishte pa eksperiencë dhe jo në nivelin e duhur.
“Kjo ndeshje ishte një reklame për futbollin dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ishte një ndeshje shumë intensive, të cilën e patëm nën kontroll për aq kohë sa ia dolëm të ruanim ritmin. Më pas u tërhoqëm disi, por luajtëm si të barabartë me Cityn dhe jemi besimplotë për ndeshjen e kthimit.
E vetmja keqardhje është që kishim disa raste për të shënuar golin e 3-1 dhe nuk ia dolëm. Arbitri nuk ishte në nivelin e skuadrave në fushë. Mundohej të linte vazhdimin e lojës, por kishte mungesë eksperience dhe dukej qartë”, është shprehur tekniku italian.