
Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany ka folur në prag të duelit me Celtic. Tekniku belg vlerëson maksimalisht kundërshtarin, teksa kujton edhe pjesë të së shkuarës në stadiumin e Celtic. Megjithatë, Kompany thekson se uria për të fituar te “djemtë” e tij, është tepër e madhe.
“Mendoj se do të luajmë kundër një ekipi që është mësuar të fitojë shumë. Ata janë të mirë në sulm dhe janë mësuar që të shënojnë gola. Besimi tek ta vjen pikërisht nga këto ndeshje të mëdha.
Nuk është një rikthim nostalgjik (i bazohet kohës kur luajti përballë Celtic, kur ishte lojtar i Anderlecht). Po kthehem në këtë stadium si trajner, jo lojtar. Nuk dua të sjem shumë nostalgji, por ishte e mrekullueshme.
Më kujtohet se Sir Alex Ferguson ishte aty për të më parë. Nëse do të luaja mirë, ndoshta ai do të kishte bërë një ofertë për mua. Por jam i lumtur që përfundova në skuadrën blu të Manchester.
Si lojtar, ju prisni momente të tilla, pavarësisht sa të vështira janë ato. Celtic ka një rekord të mrekullueshëm në shtëpi, por kjo thjesht rrit urinë tonë për ndeshje të tilla dhe fitore”, është shprehur Vincent Kompany.
Kujtojmë se sfida mes Celtic dhe Bayern Munich e vlefshme për fazën “play-off” të 1/16-ave të Champions League do të luhet mbrëmjen e sotme. Ndeshja që do të zhvillohet në stadiumin “Celtic Park”, nis në orën 21:00.