Paris Saint-Germain do të presë Bayern Munich në stadiumin “Parc de Princes”, për aktin e parë gjysmëfinal në Champions.
Prag këtij dueli, ka folur sulmuesi i parizienëve Khvicha Kvaratskhelia, i cili është shprehur se të gjithë në skuadër janë në formën më të mirë fizike dhe se janë të gatshëm ta përfundojnë këtë sezon në mënyrën më të mirë të mundshme, kur kanë mbetur edhe pak sfida për t’u luajtur.
Më tej, ai vlerësoi kundërshtarin duke “injoruar” në njëfarë mënyre emrat e tjerë gjysmëfinalistë si Atletico dhe Arsenal që sfidojnë njëri-tjetrin të mërkurën.
“Kur erdhën në Paris nëntorin e kaluar, nuk ishim po aq të mirë sa ata. Nesër, mendoj se do të përballen së bashku dy nga skuadrat më të mira të Europës”, tha Kvaratskhelia.
Po ashtu, ylli i francezëve komentoi dhe formën fantastike që po kalon portieri Manuel Neuer.
“Neuer është legjendë, siç mund ta dimë. Është një nga portierët më të mirë në botë. Herën e fundit ia dolëm t’i shënonim, këtë herë varet sërish prej nesh për ta provuar sërish”, përfundoi gjeorgjiani.
