Në këto momente po hidhet shortiuu për Botërorin e Klubeve. Donald Trump nuk deshi të mungonte në prezantimin e Botërorit të Klubeve, duke shfaqur një mesazh video për të mirëpritur ekipet pjesëmarrëse. Në stilin e tij karakteristik, presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara shprehu entuziazëm për ngjarjen, duke e cilësuar si "një sukses të parashikuar".
"Nuk mund të jem i pranishëm, por do të ndjek me vëmendje shortin. Është një nder që ky kompeticion zhvillohet në vendin tonë. Djali im e do futbollin, edhe pse nuk luan shumë mirë, por do të jetë i përfshirë. Do të jetë një ngjarje fantastike, argëtohuni dhe mirësevini të gjithë!", tha Trump, menjëherë pas fjalës hapëse të Gianni Infantino.
Presidenti i FIFA-s theksoi më pas rëndësinë historike të turneut, i cili përfaqëson një epokë të re për futbollin ndërkombëtar. "Ky është një moment gëzimi, por mbi të gjitha një bashkim përmes futbollit – ose më saktë, soccer. Që nga viti 1930 kemi një Botëror për kombet, ishte koha që edhe klubet të kishin një strukturë të re. Nisi një epokë e re, një muaj konkurrimi që do të fillojë nga vera e vitit 2025, ku klubet dhe lojtarët më të mirë do të sfidohen për të ofruar shfaqjen më të mirë në botë", shpjegoi Infantino, duke e cilësuar turneun si një "provë të përgjithshme" për Botërorin e vitit 2026.