
Etrit Berisha i dha fund “papunësisë” së tij, teksa dy ditë më parë vendosi të rikthehej në Suedi. Në kampionatin suedez të futbollit, shqiptari firmosi me ekipin e BK Hacken deri në fund të këtij viti. Ndërkohë që për transferimin e gardianit kuqezi, ka folur vetë drejtori sportiv i klubt suedez, Martin Ericsson.
“Berisha ka një rol të rëndësishëm për të luajtur, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Ai ka një CV që pak portierë në Suedi mund ta krahasojnë, dhe ishte ende portieri i parë i Shqipërisë vitin e kaluar, para Kampionatit Evropian. E mirëpresim me ngrohtësi në klub”, u shpreh Martin Ericsson.
Kujtojmë se Berisha rikthehet kështu në Suedi pas plot 12 vitesh, pasi më parë ka luajtur me ekipin e Kalmar. Ndërsa pjesën tjetër të karrierës e ka kaluar në Itali me ekipe si Lazio, Atalanta, Spal, Torino dhe Empoli.