
Barcelona dhe Manchester United u përballën mbrëmë mes tyre në “Camp Nou” në kuadër të ndeshjeve të fazës me eliminim direkt në Europa League. Nëj sfidë që ishte një spektakël i vërtetë, pasi u shënuan plot 4 gola, por në fund nuk kishte fitues.
Sulmuesi anglez i djajve, Marcus Rashford ka folur pas këtij barazimi, teksa nuk fshehu zhgënjimin. Anglezi do të theksonte se dukej sikur të tijtë kanë humbur, ndërsa ndër të tjera deklaroi se Barcelona është një ekip i fortë.
“Duket sikur humbëm. Bëmë mirë pasi arritëm ta kthenim rezultatin. Në pjesën e parë Barcelona ishte pak më mirë. Ishim të qetë, nuk e humbëm qetësinë dhe patëm mundësi. Në pjesën e dytë shënuam dy gola radhazi, por Barcelona është një skuadër e fortë, me lojtarë të mirë dhe ia dolën të barazonin.
Goli? Këndi ishte i vështirë, por vendosa që do të gjuaja dhe isha me fat”, tha sulmuesi duke folur për BT Sport.
Rashford tani ka 22 gola për United këtë sezon, që barazohet me rekordin e tij më të mirë, të arritur në 2019-2020.