
Arsenali është skuadrë më në formë e Premier League këtë sezon. Ekipi i drejtuar nga Mikel Arteta kryeson kampionatin me pikë të barabarta me Liverpool, ndërsa kanë 1 pikë më shumë se Manchester City.
“Topçinjtë” janë kështu në garë për të fituar titullin kampion këtë sezon, ndërsa do të luftojnë me “The Reds” dhe “Qytetarët” deri në fund të sezonit. Pikërisht me skuadrën e Pep Guardiolës do të përballen ‘djemtë’ e Artetës.
Në “Etihad Stadium” ditën e nesërme në orën 17:30 do të luhet një duel direkt për titullin. Në prag të kësaj sfide Arteta e ka pranuar se Manchester City ka arritur majat dhe e ka ngritur performancën në një tjetër nivel në Angli, ndërsa Arsenali po afrohet gjithmonë e më shumë arritjeve të tyre.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dy skuadrat. Do të na japë një shtysë masive nëse fitojmë, por ka edhe shumë ndeshje të tjera pas kësaj, ndaj nuk do të jetë vendimtare”, ka theksuar timonieri i “Topçinjve”.