
Ardian Ismajli pritet të rikthehet titullar tek Empoli, në ndeshjen që këta të fundit do të luajnë të dielën përballë Milanit. Sfida e vlefshme për javën e 19-të të Serie A do të startojë në orën 12:30.
Përsa i përket Ismajlit, me shumë mundësi mbrojtësi i Kombëtares shqiptare do të “gradohet” titullar. Kjo edhe për shkak se në repartin e mbrojtjes së Empolit ka shumë mungesa dhe trajneri Aurelio Andreazzoli pritet t’i besojë shqiptarit.
Por Ismajli nuk do të luajë si qendërmbrojtës. Me shumë mundësi, tekniku i Empolit do ta vendosë 27-vjeçarin në një pozicion që nuk e kemi parë në të shkuarën. Ismajli pritet ta nisë sfidën si mbrojtës i majtë, një pozicion që kërkon shpejtësi dhe forcë.
Mesa duket Andreazzoli i beson aftësive të Ismajlit duke i besuar atë pozicion delikat në një ndeshje të “sikletshme” si ajo kundër Milanit. Ndërsa kryesorja mbetet që Ismajli të marrë sa më shumë minuta, pa marrë pararysh rolin ku do të luajë.