
Ndarja nga jeta e Raphael Dwamenas nuk është përjetuar keq vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj, kudo ku ka shqiptarë. Xhuliano Skuka ka qenë një prej tyre që ka parë LIVE ngjarjen e trishtë.
Sulmuesi i Partizanit në intervistën për “RTSH Sport” ka zbuluar se po shikonte ndeshjen LIVE dhe në momentin që është ndërprerë ndeshja ka dalë në fushë për të nisur stërvitjen me Maribo. Lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Dwamenas ia ka dhënë menaxheri, Arbi Laçi.
Skuka theksoi më pas se nuk ishte në gjendje të stërvitej, pasi nuk mund ta besonte se kishte ndodhur vërtetë diçka e tillë.
“E kam pëjetuar keq, sikur të ishte lojtar i ekipit tim. Unë po e shikoja LIVE ndeshjen, isha bashkë me dy lojtarë të tjerë në Maribo. Ndeshja po luhej para se ekipi im të kishte stërvitjen. Kur u ndërpre ndeshja unë dola në fushë, por më pas menaxheri, Arbi Laçi më ka dhënë lajmin e hidhur të ndarjes së Dwamenas nga jeta. Unë dhe dy lojtarët e tjerë nuk ishim më për stërvitje, sepse ne pamë gjithçka LIVE dhe ishte një nga lojtarët më të mirë këtu në Shqipëri”, ka thënë shkurtimisht “Demi” i kuq.