
Vllaznia është shndërruar në një kantier të vërtetë ndërtimi. Skuadra shkodrane është shpërbërë plotësisht dhe tashmë ka nisur puna për afrimin e elementëve cilësorë në skuadër. Drejtori i ri sportiv, Elvis Plori bashkë me trajnerin Migen Memelli vijojnë punën për të përforcuar ekipin.
Në këtë fazë të merkatos po punohet me kujdes në mënyrë që gabimet të jenë minimaliste. Drejtori Plori ka nisur kontaktet me shumë futbollistë, ndërsa deri më tani ka pasur disa prezantime por shumë largime.
Këto zhvillime të rëndësishme kanë lënë të befasuar edhe publikun shkodran. U larguan lojtarë të rëndësishëm si Gurishta, Marku apo dhe Jonuzi. Thuajse gjithë skuadra e vjetshme është shkrirë, përveç yllit të ekipit, Esat Mala.
Anësori i linjës së djathtë tashmë është rikuperuar dhe ka nisur nga puna për të gjetur formën optimale. Padyshim lojtari më i rëndësishëm për skuadrën e Vllaznisë që në sezonin e ri do ta ketë pikë referimi. Kujtojmë që pas dëmtimit të Esat Malës, edhe performanca e shkodranëve erdhi në zbritje. Ai u dëmtua gjatë një ndeshje me Partizanin, pas një përplasje sup më sup me mbrojtësin e të kuqve, Andi Hadrojin.