Pas kualifikimit të Teutës në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, trajneri Gugash Magani u shpreh se edhe gjyqtarët mund të gabojnë, sepse edhe ata, ashtu si lojtarët dhe trajnerët janë aktorë kryesorë.
Në këtë konstatim, Magani iu referua momentit kur gjyqtari Jorgji nuk dha penallti sipas tij, kur Pjeshka i Vllaznisë ndërhyri gabim në zonë ndaj Prognit.
"Penalltia e fituar nga Ribaj? Ajo është një çështje interpretimi. Për sa i përket faullit që pretendon Vllaznia në rastin e golit të dytë, mendoj se nuk ka prekje të topit me dorë.
E dëgjova dhe trajnerin Cungu që tha ishte faull dhe e respektoj mendimin e tij, por me çfarë po shoh, dora ka qenë ngjitur me trupin dhe nuk ka faull aty.
Ne e merituam kualifikimin, sepse e kërkuam atë gjatë gjithë ndeshjes, deri në fund. Kishim disa raste për shënim edhe para se të fitonim penalltinë.
Ndërhyrja e Pjeshkës ndaj Çyrbjes ishte penallti, edhe pse ne nuk merremi me gjyqtarët.
Ashtu si ne trajnerët dhe futbollistët, edhe arbitrat janë aktorë. Edhe ata mund të gabojnë. Por ne nuk merremi me gjykimin.
Nuk kemi ndonjë preferencë për shortin e gjysmëfinales. Si të na bjerë me Tiranën, me Skënderbeun apo edhe me Besëlidhjen, ne do të përgatitemi shumë për të kaluar në finale.
Pas këtij kualifikimi do të mendojmë për kampionatin, sepse jemi shumë keq me pikë.
Unë kam uri, nuk kam eufori. A ka ardhur koha që unë të marr një trofe? Unë gjatë gjithë karrierës sime kam drejtuar skuadra që kanë luftuar për mbijetesë dhe skuadra të Kategorisë së Parë që i kam nxjerrë në Superligë.
Nuk kam pasur ndonjëherë ndonjë ekip të gatshëm.
Ndoshta ka qenë ndonjë gabim imi që kam zgjedhur këtë rrugë për karrierën time, por falë Zotit më ka dalë për mbarë tani.
Bangal? Jam i kënaqur me paraqitjet e tij për 2017-ën, sepse në 2016 ishte larg pritshmërive", tha trajneri i Teutës, Gugash Magani për Supersport.
