Kroacia arriti të fitonte ditën e sotme me rezultatin 1-0 ndaj Rusisë në shtëpi. Me këtë fitore, Kombëtarja krote u kualifikua për në Kupën e Botës, "Katar 2022". I ftuar në emisionin e "Supersport", Matko Djarmati, drejtori kroat i Vllaznisë ka folur për suksesin e Kombëtares së tij, ndërsa ka komentuar edhe Kombëtaren shqiptare.
Djarmati jeton prej shumë vitesh në Shqipëri dhe e njeh mjaft mirë kampionatin shqiptar si dhe Kombëtaren kuqezi. Drejtori i Vllaznisë është shprehur se ka ardhur koha që Shqipëria të ketë një trajner shqiptar pasi me trajnerë italianë është e vështirë të kopjosh suksesin e Kroacisë.
"E vështirë që Shqipëria të bëhet njësoj si Kroacia nëse vazhdohet me trajnerë italianë. Asnjë trajner i huaj nuk e ndjen peshën e fanellës njësoj sesa mund ta ndjejë një trajner që merr drejtimin e kombëtares së vet. Shumë shpejtë edhe në Shqipëri do të vijë koha që një trajner shqiptar të marrë drejtimin e Kombëtares. Mendoj se Besnik Hasi është njeriu i duhur për të drejtuar Kombëtaren shqiptare. Është një nga trajnerët më të suksesshëm shqiptar dhe do t'i bënte shumë punë Kombëtares", u shpreh Djarmati.