
Futbolli shqiptar në vitet e fundit ka ecur me ritme të jashtëzakonshme. Klubet kanë mësuar të sillen, skuadrat kanë rritur nivelin e lojës, stadiumet janë bërë dhe ribërë, ndeshjet transmetohen live, futbollistët vishën më mirë, imazhi është kuruar, fushat janë të një tjetër standarti e shumë të tjera janë ndryshuar. Vetëm dy gjëra jo. 3 mijë lekë (të vjetra) bileta për tifozët dhe farat e zeza që shiten rëndom nëpër stadiume. Këto të fundit i sheh ti konsumojnë në të gjithë sektorët e stadiumit, pavarsisht nëse je futur si Vip brënda apo ke shpenzuar 3 mijë lekëshin “famëmadh” që prej dy dekadash ka mbetur i tillë.
Klubet kanë tentuar të rrisin çmimin, diferencojnë sektorët e stadiumit për të krijuar shumëllojshmëri biletash, praktikë të cilën e njeh e gjithë bota, por tifozët kanë reaguar. Mediat kanë sulmuar klubet, klubet kanë sulmuar njëri-tjetrit dhe çmimi ka ngelur i pandryshuar.
Sot me 3 mijë lekë mund të bësh shumë pak ose hiçgjë. Mund të konsumosh dy kafe me një mikun tënd, mund të blesh një paketa cigare apo të hash diçka në versionin fast.
Sot vetëm një biletë në teatër dhe në stadium kushton kaq lekë. Askund tjetër nuk të jepet mundësia për të kaluar dy orë zbavitëse.
Pavarësisht se vlera e parasë në Shqipëri ka ndryshuar, çmimi i biletës prej dy dekadash ka mbetur i pandryshuar. Tifozët e llastuar nuk heqin dorë nga trysnia që i shkaktojnë klubeve pa e kuptuar se bileta e paguar është kontribut për klubet që më në fund, prej pak vitesh nuk janë më të shtetëzuara e në funksion të politikës por janë në një administrim privat.