
Fatmir Sala nuk është më trajneri i Ilirisë. Diçka që nuk tingëllon mirë në vesh teksa pas plot 32 vitesh ai nuk do të jetë më në krye të klubit nga Fushë Kruja.
Plot 3 dekada në këtë detyrë e bëjnë atë të fitojë me meritë nofkën ‘Fergusoni’ i futbollit shqiptar, krahasim me ish-trajnerin e njohur të Manchester United i cili drejtoi ‘Djajtë’ për 27 vite.
Fundi i një epoke që sigurisht do të mbetet në librat e historisë si një rekord që zor se do të thyhet ndonjëherë duke ditur edhe aktualitetin e futbollit shqiptar dhe ‘fiksimi’ me shkarkimet e trajnerëve. Gjatë këtyre viteve, arritja më e madhe është garimi në Superiore në sezonin 1993-94.
Shkarkimi i tij vjen si vendim i kryebashkiakut Artur Bushi i cili do të emërojë zv.trajnerin aktual, Afrim Deliun. Megjithatë, Fatmir Sala nuk do të ndahet nga skuadra e tij e zemrës pasi pritet të marrë një tjetër rol në klub.