
Para derbit Partizani - Tirana ka folur edhe zëdhënësi për shtyp i klubit bardheblu, Mario Nikolli. Në fjalën e tij për Supersport, ai tregoi se si është të punosh te 24-herë kampionët e vendit, vështirësitë e organizimit të derbit, si dhe një informacion për numrin e shitur deri më tani të biletave.
Në fund tregoi se çfarë ndodh me kanalet zyrtare të klubit bardheblu, në mjetet e masmedias si Facebook, Instagram apo dhe Tëitter.
"Nuk kam shumë muaj që kam nisur punë këtu. Në fillim të kampionatit jam bërë pjesë e Tiranës. Është ndjesi e mirë. Përjashtojmë rezultatet, nga ana e organizimit besoj se ka shkuar mirë. Nuk kemi pasur probleme. Edhe futbollistët janë ndjerë mirë. Është një presion i madh, por ambient mjaft i mirë për të punuar. Tifozët kërkojnë me të drejtë rezultatet.
Një skuadër udhëtuese nuk kanë shumë detyra. Kemi qenë në kontakt me klubin e Partizanit dhe drejtorinë e policisë për sa i përket derbit. Nuk kemi shumë punë, veçse të paraqesim disa lista me ata që do të jenë në tribunën VIP si dhe te gazetarët.
Ishte shumë e vështirë të organizoje derbin. Shumë njerëz shohin atë që ofron fusha apo tribuna. Por, në prapavijë ka shumë punë. Ka një punë shumë të madhe me medien. Interesi është shumë i madh. Mjafto të jesh gazetar, edhe ata të politikës duan të vijnë në stadium. Gjithë e kanë parë, ishte një sprovë e madhe. Gjithçka u organizua përfekt. Shpresoj që edhe sot mos të kemi incidente. Shpresojmë që të shkojë gjithçka mirë.
Ne na përkasin 1600 bileta, por nga informacionet që kemi është shitur një numër i vogël në tërësi. Kur Tirana ishte pritëse, biletaria në orën 16:00 ishte mbyllur. Kam përshtypjen që janë 2 mijë bileta të shitura deri tani. Shpresojmë që tifozët të vijnë sa më shumë dhe mos ta lënë në momentin e fundit për të shmangur radhën. Kur Partizani luan në Tiranë, edhe në këtë ndeshje tribuna D2 do të jetë e mbyllur.
Dua të them që veç ndeshjeve të Superiores, po punohet shumë edhe për terrenet sportive. Presidenti ka prioritet një aneks që do të bëhet pranë "Selman Stërmasi"t. Është bërë një punë e madhe. Do të ketë ndryshime të tjera në kompleksin e Akademisë. Do të ketë fusha të reja, duke qenë se Devi Muka ka mbështetjen e plotë të presidentit. Megjithatë duhet t'ia lëmë kohës.
Interaktiviteti, kur skuadra nuk ka rezultate pozitive, kritikohet gjithmonë. Jemi para një fakti që komentet janë të shumta. Na ka ndodhur shumë shpesh që miqtë të lënë një koment ofendues ose kritikues. Por, kur vjen përballë më pas justifikohen. Ne kërkojmë mbështetjen. Kërkojmë që tifozët të jenë në krah të skuadrës. Shpresojmë që sot të shkojë diçka ndryshe", deklaroi Mario Nikolli.