
Benjamin Mendy ka nënshkruar për klubin e elitës së futbollit francez, Lorient pesë ditë pasi ai u shpall i pafajshëm për përdhunimin e një gruaje dhe përpjekjen për të përdhunuar një tjetër.
29-vjeçari është shpallur i pafajshëm për të gjitha akuzat e bëra kundër tij nga gjashtë femra. Ai u pezullua nga Manchester City në gusht 2021 pasi u akuzua nga policia dhe u lirua në fund të kontratës së tij.
Mendy i cili ka 10 paraqitje me Francën, ka luajtur për herë të fundit me 15 gusht 2021, në ndeshjen e Cityt kundër Tottenham në Premier League. Kujtojmë që ai u transferua tek “Qytetarët” nga Monaco për 52 milionë paund në vitin 2017, një shumë rekord botëror për një mbrojtës në atë kohë.
Mendy tashmë ka nënshkruar një marrëveshje 2-vjeçare me Lorient, i cili përfundoi në vendin e 10-të në Ligue 1 sezonin e kaluar. Klubi ka njoftuar se mbrojtësi ka kaluar testet mjekësore dhe do të ishte në qendrën stërvitore të mërkurën.