Gareth Southgate do të mbetet trajner i Anglisë pavarësisht eleminimit zhgënjyes në çerekfinale të Kupës së Botës, konfirmon Federata Angleze. Tekniku 52-vjeçar deklaroi pas humbjes me Francën se i duhej pak kohë për të marrë një vendim për të ardhmen e tij. Por tani, ai do të vazhdojë të jetë në krye të stolit deri në Europianin e Gjermanisë në vitin 2024.
“Jemi të gëzuar të konfirmojmë se Gareth Southgate do të vazhdojë si trajner i Anglisë dhe do të drejtojë skuadrën tonë në Europianin 2024. Gareth dhe asistenti Steve Holland e kanë pasur gjithmonë mbështetjen tonë të plotë dhe plani për Euro 2024 fillon tani.”-deklaroi drejtori Bullingham.