
Ore miq, pa llafe e zbukurime, ky presidentit i futbollit Z. Armando Duka mua më duket menaxher i zoti.
Le të thonë çfarë të duan!
Unë nuk e njoh fare as për fytyrë, dhe përgjithësisht nuk i kam shumë për qejf njerëzit që menaxhojnë shumë parà si bankierë, drejtora, presidenta e më the e të thashë. I shoh me dyshim. Ashtu kot.
Po ky paska qenë vërtet i zoti...
Ja u fitoi gjyqin serbëve dhe u tha : Rrini me gisht në gojë tani!!!
I vetmi gjyq ndërkombëtar që ne kemi fituar kundër Serbisë.
E mori atë Biazin, i tha : lojën e futbollit bëje ti, por lojën tjetër e bëj unë ! Mos kemi llafe o italiano!
Nuk e la t'i bënte gili-vili, jo po do të shkoj në emirate, jo në sulltanate. Ik ku të duash, por këtu njëherë, se të kam pagu! Asaj i them e mbledhme unë!
E lë qeverinë të kënaqet me ndonjë fotografi sa për qejf me çunat, por nji fjalë politizuese a lavdërim qesim nuk ja fal. Sa me qit kokën në ndonji fotografi.
Ka nevojë, çfarë të bëjë, e ka zenë belaja!
Me baltën e futbollit shqiptar, që shteti e ka lënë në baltë, pse ai do të merret? Ka zot që ja del asaj balte?
Gjeti se ku të pozicionohet në treg, me kombëtaren, dhe mblodhi gjithë ajkën e bijve të shqiptarëve lart e poshtë dhe i mbledh për të luajtur për Shqipërinë.
Ekuilibron motivimin me parà, por edhe për sedër kombêtare, por edhe për marketing.
I keni parë çunat si rrinë? Sus! Dhe mos harroni se ata janë të suksesshëm dhe njeriu i suksesshëm është vështirë të bindet. Por, me të nuk ka llafe si duket.
Këta specialistët e top-këmbë-balltës në Shqipëri që mezi presin t'i rrëshkasi këmba, as i merr në konsideratë fare, grrini - grrini ! - u thotë!
Tani na paraqiti një logo të shkëlqyer të shqiptarëve duke përdorur vetem etiketën e Shqipërisë, se një shtet i duhet atij për të treguar shpirtin e shqiptarëve, mu në mes të Europës, pikërisht atë logo që në fusha të tjera kush ka në dorë vetëm po na e shkatërron.
Të gjithë në Europën na tallin.
I vetmi menaxher ky z. Duka që na ngre kokën.
Unë s'e njoh fare, po fare, po më duket si një tip që nuk ja ha qeni shkopin.
I sjell të gjithë vërdallë duke i marrë me të mirë, por i con drejt objektivave të veta ashtu butë butë dhe pa dalë në skenë.
Ai punon në pyll duke prerë dru, të tjerët bëjnë : hë, hë, hë dhe fshijnë djersët e veta!
Ca duan të duken se shënojnë gol me penallti, kur portjeri hidhet me qëllim nga ana tjetër! Kujtojnë se ashtu bëhet goli vërtet!
Unë i heq kapelen dhe personalisht i them : falemnderit zotni!