
Situata te Barcelona është tejet e tensionuar. Pas dorëheqjes së 6 anëtarëve të bordit drejtues, Emili Rousaud ka tronditur me deklaratën e tij teksa fajëson se në klubin katalanas vidhen miliona euro. Ai është shprehur se një punë me kosto 100 mijë euro, deklarohet me vlerën 1 milionë euro.
Nuk ka preferuar të vendosë gishtin, por për “Rac 1” ka thënë: “Mendoj se dikush ka futur dorën për të grabitur. Të paguash 1 milion euro për një punë që në treg kushton vetëm 100 mijë euro…! Është e qartë dhe e pamohueshme. Cili e ka bërë? Sigurisht dikush nga bordi drejtues. Nuk e di kush ka qenë, por sigurisht mund të kemi dyshimet tona…”’
Një akuzë mjaft e fortë kjo për klubin më të njohur në botë. Tashmë është radha e presidentit Bartomeu të qartësojë këtë “mjegull” në të cilën është përfshirë Katalunja.