Eduard Prodani ka publikuar e-mailin e mbërritur në kutinë elektronike të mesazheve të tij, ku tregohet njoftimi i Federatës Shqiptare të Futbollit që të marrë pjesë nesër në cilësinë e kryetarit të Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës.
Përmes një postimi në facebook-un e vet, Prodani thekson se FSHF-ja ka njohur rezultatin e ligjshëm të zgjedhjeve. Premton se do të përfaqësojë denjësisht futbollin për kryeqytetin dhe falënderon ata që e besuan. Nëpërmjet postimit të bërë, ai shkruante:
“ANËTARËVE TË SHOQATËS RAJONALE TË FUTBOLLIT TIRANË
Më në fund FSHF njeh rezultatin e ligjshëm të zgjedhjeve në Shoqatën Rajonale të Futbollit të Tiranës. Beteja për transparencë dhe lufta për drejtësi, ja vlejti.
Tashmë Tirana do të ketë një përfaqësi të vërtetë për futbollin e në shërbim të futbollit. Ashtu si ju kam premtuar, do të jem zëri juaj dhe avokati i tërë komunitetit të futbollit në kryeqytet.
Falënderoj të tërë ata që më besuan, më inkurajuan dhe më mbështetën në këtë përpjekje. Mezi pres t’ia nisim punës së bashku!”, përfundon ai në postimin e tij.
