
Javët e fundit po përflitet shumë për një rikthim të Lionel Messit në Barcelonë. Kjo vjen pasi akoma nuk ka asgjë për rinovimin e tij me PSG-në.
Pas raportimeve se babai i Messit, njëherësh edhe menaxheri i kampionëit të botës, Jorge është parë në Barcelonë ka shtuar akoma më shumë dyshimet për një rikthim në “Camp Nou”.
Në lidhje me këtë situatë ka folur Xavi Hernandez, i cili ka qenë shok me “Pleshtin” në Barcelonën e viteve të arta.
“E vërteta është se nuk kemi se çka të shtojmë. E kam thënë shpesh herë se kjo është shtëpia e tij dhe se dyert i ka të hapura. Nuk mund të them diçka tjetër: është një mik imi, jemi gjithmonë në kontakt dhe flasim për shumë gjëra, asgjë më shumë. Do të varet shumë nga ai, nga ajo se çka dëshiron të bëjë ai në të ardhmen. Por, është evidente që Barcelona është shtëpia e tij, pa dyshim”, deklaroi Xavi.
Messi është duke e kaluar sezonin e dytë në “Parkun e Princave”, ndërsa e ka në opsion rikthimin në Barcelonë ose transferimin në ligën amerikane – MLS ose në Arabinë Saudite, ku e pret një ofertë stratosferike.