Në merkaton e janarit Vllaznia nuk bëri shumë afrime, por në gjirin e saj mori lojtarë që vërtet e ndihmuan gjatë fazës së tretë dhe të kartët të kampionatit, ku kuqeblutë jo vetëm që siguruan kualifikimin, por u renditën në vendin e 6 të tabelës së klasifikimit. Endri Vrapi dhe Alsid Tafili ishin dy futbollistët që ndihmuan së tepërmi këtë ekip me prezencën e tyre në fushë, ndërsa vetëm një nga këta dy lojtarë është konfirmuar te Vllaznia.
[caption id="attachment_10757" align="alignleft" width="291"] Endri Vrapi kur prezantohej te Partizani[/caption]
Alsid Tafili firmosi dje kontratën e re, ndërsa në pritje mbetet mbrojtësi i krahut të djathtë, Endri Vrapi. Tiranasi ka eksperiencë dhe ka ngritur disa tituj kampionë dhe pret që të arrihet akordi për sezonin e ri. Burime pranë lojtarit bëjnë me dije se marrëdhënia dypalëshe mund të vazhdojë në sezonin e ri nëse klubi shkodran do të arrijë të pranojë kërkesën e tij për anën financiare.
Mbrojtësi 34-vjeçar që në karrierën e tij ka luajtur për Dinamon, Tiranën, Partizanin, Elbasanin, Besën dhe Skënderbeun ka edhe disa oferta nga skuadra të Superiores, por nëse Vllaznia do të tregohet e shpejtë në zgjidhjen e situatës financiare, atëherë ai do të pranojë të qëndrojë në Shkodër edhe për një vit.