
Dinamo dhe Skënderbeu kanë barazuar 1-1 në stadiumin e Kamzës për javën e 33 në Superligë. Me këtë rezultat, korçarët rrëzohen zyrtarisht në Kategorinë e Parë pas 13 vitesh dhe pas dominimit të futbollit shqiptar.
Ende shpresë për Dinamon, që do duhet të fitojë dy ndeshjet e radhës dhe Egnatia të humbasë duelet, për t’u përballur në javën e 36 të Superligës, me kalendarin që rezervon surprzia.
Nëse gjithçka shkon sipas këtij skenari, Dinamo do duhet të fitojë me dy gola në javën e 36 kundër Egnatias. Megjithëse shanset janë të pakta, duket se Dinamo ende shpreson.
Dueli – Sa i takon ndeshjes, Skënderbeu kaloi në avantazh me Berishën në minutën e 83, për t’u barazuar nga Lilaj në minutën e 100 pas shtesës dhe penalltisë me VAR.
Me 25 pikë, Dinamo qëndron në vendin e 9, nëntë pikë pas Egnatias që momentalisht mban vendin play-off. Ndërkohë Skënderbeu me 25 pikë është zyrtarisht në Kategorinë e Parë.
Pas ndeshjes për Gol pas Goli foli trajneri Skënderbeut, Skënder Gega.
“Më vjen keq, ka kohë që është nisur kështu. Nuk dua t’ia përmend emrin arbitrave të padëshiruar. Kanë ardhur dy herë në pesë ditë të njëjtët arbitra. Urime Krujës dhe Egnatias, shpresoj që edhe Dinamo të ringrihet.
Arbitri –Jorgji, je një ordiner kaq. Meqë jemi live edhe na dëgjon.
Akuzë ndaj FSHF – Nuk e di çfarë planesh ka Federata. Sa kohë jam pjesë e Skënderbeut do mbroj ekipin. Ishte penallti për ne dhe nuk e dha. Do kërkoj të drejtën. Sot nuk e kthejmë dot pas, e paguan ekipi dhe gjithë ata që punojnë.
Unë kam karakterin të pranoj fajin teknik. Kush do mbajë përgjegjësi. Ky bën dush edhe nesër (Jorgji) do jetë në Spanjë ose Barcelonë. Unë mbaj përgjegjësi për vete.
Peng – Ndiej keqardhje, më ka bërë përshtypje që në pesë ndeshje kemi pasur dy arbitra të njëjtë. Meta ka ardhur nga Kukësi për ne. Më vjen keq që nuk janë korrektë. E mbroj këtë gjë në çdo moment. Nuk jam i turpëruar, jam i zhgënjyer. Nuk shikojnë as VAR për ne, rastet kanë qenë. Jeta vazhdon”, tha Gega.