
Real Madrid ka mposhtur sot 2-0 Athletic Bilbao, duke fituar trofeun e Superkupës së Spanjës për herë të 12 në histori. Galaktikët e Ancelottit kanë dominuar takimin e zhvilluar në Jeddah të Arabisë Saudite, duke mos e vendosur në diskutim triumfin në këtë kompeticion.
Sfida për Galaktikët është hapur nga Modric, që në minutën e 38 ka shënuar një gol të bukur, duke e ndalur sferën në trekëndësh. Pjesën e dytë, Benzema do kujdesej që Real të siguronte fitoren me golin nga pika e bardhë e penalltisë në të 52 minutë.
Fundi i ndeshjes ka qenë dramatik, teksa Militao ka dalë jashtë me karton të kuq pas prekjes së topit me dorë në zonë. Garcia për Bilbao gabon nga 11 metra, me Courtois që tregohet deçiziv duke e pritur goditjen.
Ky sukses është i 12 për Real Madrid në këtë event, që i “rrëmben” fronin pikërisht Bilbaos që ishte kampione në fuqi. Kujtojmë se me 13 trofe, Barcelona mban vendin e parë përsa i përket këtij trofeu në Spanjë. Real mposhti pak ditë më parë në gjysmëfinale Barcelonën, ndërsa Bilbao kaloi Atletico Madrid.
Vitet kur Real Madrid ka triumfuar në Superkupën e Spanjës:
1988, 1989, 1990, 1993, 1997, 2001, 2003, 2008, 2012, 2017, 2019–20, 2021-22