Vullnet Basha ia ka dalë të shënojë golin e parë këtë sezon. Mesfushori që është aktivizuar edhe me Kombëtaren kuqezi bën pjesë te Wisla Krakow në kampionati polak të futbollit. Që prej gushtit të 2017, 29 vjeçari luan me këtë skuadër duke qenë një nga titullarët e padiskutueshëm.
Dje, Basha ka lëshuar një silurë nga rreth 20 metra, duke shkundur portën e Lodz. Ekipi i tij fitoi 2-4, me mesfushorin që shënoi golin e katërt dhe të qetësisë. Basha është aktivizuar në 13 takime këtë sezon mes kampionatit dhe Kupës. Ekipi i tij lundron në ujëra jo të qetë, teksa ndodhet në vendin e parafundit me 17 pikë të siguruara në 20 takime. Vullnet Basha ka qenë pjesë e Kombëtares kuqezi, në kohën kur në pankinën tonë ishte De Biasi.