
Federata e Futbollit ka zbatuar gjatë këtij sezoni një nga programet më të mëdha historike të investimeve në infrastrukturën sportive, me një total prej afro 8.5 milionë eurosh të shpenzuara në projekte të ndryshme në të gjithë vendin.
Fondi i investuar është përqendruar në ndërtimin dhe rikonstruksionin e stadiumeve, ndërtimin e fushave të reja, përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese, si dhe në ndërhyrje të rëndësishme në kuadër të Kampionatit Europian UEFA U-17 që u zhvillua në Shqipëri në maj-qershor 2025.
Ndër projektet më të rëndësishme ku FSHF ka investuar gjatë këtij viti përmenden stadiumi “Egnatia” në Rrogozhinë, stadiumi i Vorës dhe ai i Besës në Kavajë, si edhe stadiumet në Gramsh dhe Përmet. Po ashtu, janë realizuar rikonstruksione të fushave në Elbasan (kompleksi sportiv “Shefqet Lamçja” ), Korçë, Krujë, Gjirokastër dhe Durrës.
Në kuadër të projektit “100 fushat”, gjatë këtij sezoni janë ndërtuar dy fusha të reja në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, është inauguruar fusha stërvitore e kompleksit “Dinamo City” në Arbanë, si dhe janë realizuar disa projekte me karakter social në mbështetje të nismës “Fundjavë Ndryshe” dhe në Famullinë “Shna Prenda” në Shkodër.
Gjithashtu, është inauguruar fusha e re në bashkëpunim me akademinë “Soccer Star” në Shtoj të Shkodrës, ndërsa janë në proces ndërtimi fusha të reja në Gjirokastër, Prrenjas dhe Librazhd.
Nga kjo shumë totale investimesh, mbi 6.2 milionë euro janë financuar drejtpërdrejt nga FSHF, ndërsa pjesa tjetër është realizuar në bashkëpunim me partnerët strategjikë të federatës.