Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

LAJME

Sporti, viktimë e një ligji me porosi: Nga reforma e vërtetë tek teatri i përfitimit personal

Shkruar nga NEWSPORT
Sporti, viktimë e një ligji me porosi: Nga reforma e vërtetë
Fidel Ylli, Ina Zhupa & Armand Duka

Në një seancë pa debat dhe me një proces konsultimi që fyeu çdo standard demokratik, Kuvendi i Shqipërisë votoi së fundmi ndryshimet në ligjin për sportin – një ligj që më shumë ngjan me një dokument privat interesash sesa me një platformë për zhvillimin e sportit kombëtar. Në vend që të niste një reformë të thellë dhe të guximshme që prekte burimin e vërtetë të ngërçit në sport – ligjet për sponsorizimet, tatimin mbi të ardhurat, TVSH-në dhe procedurat e investimit në infrastrukturë – politika vendosi t’i japë sportit shqiptar… një “gjykatë”.

Në vend të fuqizimit të sistemit, na ofrohet një centralizim absurd, një frymë paternaliste e një shteti që synon të kontrollojë çdo qelizë të sportit, madje edhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes federatave, përmes një “gjykate arbitrazhi” të krijuar e financuar nga vetë shteti. Kjo është jo vetëm antikushtetuese, por edhe thellësisht e papajtueshme me çdo standard ndërkombëtar.

Por ndoshta pjesa më alarmante është se me këto ndryshime, shteti po legjitimon praktikisht ndarjen e fondeve publike për struktura private të paqarta, të cilat nuk kalojnë asnjë filtër transparence apo merite. Fondacione fantazmë që operojnë me emra të bujshëm si “Manchester City Albania”, të cilët as nuk kanë lidhje me klubet origjinale dhe as nuk përmbushin kritere të trajnimit, po konkurrojnë në mënyrë të padrejtë akademitë e klubeve shqiptare, që janë të regjistruara, të licencuara dhe të kontrolluara sipas ligjit. Në vend që buxheti i shtetit të mbështesë strukturat e mirëfillta dhe të qëndrueshme të sportit, ai shkon për të fryrë emra pa përmbajtje dhe për të krijuar avantazhe të padrejta në treg.

E vërteta e hidhur është se i gjithë ekosistemi sportiv shqiptar mbahet sot në këmbë me pikatore – falë ndonjë sponsori të rrallë, sakrificave individuale dhe atyre pak fondeve që jep shteti, i cili më shumë se sa zhvillon, mban peng sistemin. E në këtë klimë pasigurie, ku buxhetet janë të mjera, asnjë federatë nuk ka guxuar të flasë hapur. Frika se “do t’u priten fondet” i ka mbyllur gojën shumë prej tyre, duke lejuar të kalojë në heshtje një ligj që vë në shërbim të një individi të vetëm gjithë sistemin sportiv.

Në fakt, është provuar tashmë se të gjitha fushat e jetës ku shteti ka ndërhyrë drejtpërdrejt, janë përballur me lemoshë, informalitet dhe dështime strukturore. Përkundrazi, ato fusha ku shteti ka qëndruar larg dhe ka lejuar lirinë e vetorganizimit dhe autonominë ekonomike, kanë lulëzuar. Sporti nuk është përjashtim – ku ekziston pavarësi institucionale dhe mbështetje e qëndrueshme, rezultatet janë të prekshme. Dhe shembulli më domethënës është Federata Shqiptare e Futbollit.

Kush e njeh vërtet terrenin, e di se sporti shqiptar ka nevojë për ndryshime rrënjësore, jo për arnime formale. Duhet një paketë ligjesh që të nxisin investimet, të lehtësojnë tatimin mbi sponsorët, të sigurojnë trajtim fiskal të favorshëm për klubet dhe të ndihmojnë në ndërtimin e infrastrukturës. Dhe mbi të gjitha, duhen politika që e kthejnë sportin në pjesë të rëndësishme të jetës së përditshme të të rinjve, e jo në mjet për përfitime klienteliste.

Ndryshimet e fundit në ligj janë dëshmi se sa e varfër është vizioni politik për sportin. Në vend të zhvillimit strategjik, kemi prodhimin e një ligji me porosi. Në vend të konsultimit të vërtetë, kemi përjashtimin e federatave që preken drejtpërdrejt. Në vend të një modeli të qëndrueshëm, kemi një teatër kontrolli institucional për interesa personale.

Në një vend ku sporti është një nga të paktat hapësira të meritokracisë dhe pasionit të vërtetë, miratimi i një ligji të tillë nuk është thjesht gabim – është një tradhti ndaj të gjithë atyre që kanë ndërtuar këtë sistem me mund, pa zhurmë dhe pa ndihmë.

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga