
Ish trajneri i Napolit, Rafael Benitez ka folur në “Sky Sport” në vigjilje të dy sfidave të sotme në Champions. Spanjolli vlerësoi ecurinë fantastike të napoletanëve këtë sezon. Gjithashtu ai thuri elozhe edhe për yllin e Napolit, Osimhen. Sulmuesi po kalon një sezon të jashtëzakonshëm duke qenë deçiziv me golat e tij. Ai ka realizuar edhe gola spektakolarë si ai i fundit me Sassuolo. Benitez e vlerëson shumë nigerianin.
“Ai më kujton Torresin, i shpejtë, godet mirë me koke dhe është shumë i aftë”, shprehet Benitez. “Për mua nuk është e drejtë të flas vetëm për një lojtar. Tek Napoli janë të gjitha, mjedisi dhe qyteti.”
Benitez ka folur gjithashtu për ndeshjen Liverpool-Real Madrid. Tekniku ka qenë trajneri i të dyja skuadrave më parë. “Reali ka Vinicius si lojtarin e tyre më të rrezikshëm, ai bën diferencën dhe Liverpooli ka Alexander-Arnold në të djathtë, i cili sulmon shumë”, ka përfunduar Benitez.