
Mario Përlleshaj po transferohet në spitalin e burgut të Kavajës ku do të marrë ndihmën e nevojshme për rehabilitimin e plagës në dorë. Edhe pse në media u përfol që mjeku përgjegjës nuk jepte epikrizën, në fakt kjo rezulton e pavërtetë.
Neësbomb.al kontaktoi kirurgun ortoped, Dritan Todhen, i cili tregoi se gjithçka është shkruar nëpër media bëhet me qëllim për të fshehur paaftësinë e një personi. Mjeku përgjegjës thekson se ai bashkë me stafin e vet kanë qenë korrekt për gjithçka të kërkuar nga ana e organeve ligjzbatuese.
“Asgjë nuk është e vërtetë. Është një stuhi në gotë për të fshehur paaftësinë e dikujt. Unë dhe spitali kemi qenë tepër korrekt për paraqitjen e informacionit për organet ligjzbatuese, Drejtoria Vendore e Policisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, kurdo kur e kanë kërkuar”, thotë fillimisht ai.
Më tej, mjeku i njohur evidenton faktin se është alogjike që bluzat e bardha të dalin kundër ligjit apo të kundërshtojnë organet ligjzbatuese.
“Sigurisht që një mjek nuk ka mundësi dhe autoritet të kundërshtojë policinë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, do të ishte qesharake”, përfundon doktori që tregon se ka edhe prova për të faktuar të kundërtën e asaj që është raportuar deri më tani.