Trajneri i Dinamos, Ilir Daja nuk e shijoi siç duhet fitoren me shifrat 2-0 përballë Vllaznisë. Kjo për shkak të pezullimit që tekniku 59-vjeçar mori nga vendimi i Komisionit të Disiplinës dhe Etikës pranë FSHF-së.
Megjithatë, Daja e ka ndjekur këtë ndeshje nga tribuna VIP, aty ku nuk është lënë në “vetmi”. Kjo për shkak se krah teknikut dinamovit ka qenë edhe Drejtori i Përgjithshëm i klubit të Partizanit, Olsi Rama, një prezencë në dukje e rastësishme.
Por, duke parë trajnerin dhe zyrtarin e të “kuqve” kaq pranë njëri-tjetrit dhe një Partizan në “mes të katër rrugëve” pa trajner, ngre shumë pikëpyetje. Kjo edhe falë “anashkalimeve” që Ilir Daja i bën shpesh pyetjeve për të ardhmen, madje shumicën e rasteve nuk flet fare.
Pritet të shihet nëse ndjekja e ndeshjes së bashkua nga tribuna e VIP e stadiumit “Air Albania” ka qenë rastësi apo pikënisja e një ribashkimi mes palëve. Kujtojmë që në të shkuarën, Ilir Daja e ka drejtuar Partizanin nga gushti i vitit 2020 deri në dhjetor të një viti më vonë.
Ai i drejtoi të kuqtë në 61 ndeshje, duke marrë 29 fitore, 19 barazime dhe 13 humbje, deri në momentin që dha dorëheqjen pas humbjes 1-2 në derbin përballë Tiranës.
Kujtojmë që vetëm pak ditë më parë me Ilir Dajën në stol, Dinamo ia doli të triumfonte në Kupën e Shqipërisë. Kështu, tekniku kryeqytetas parakaloi Mirel Josën me numrin e trofevë, duke qenë ai tashmë rekordmeni në futbollin shqiptar.
©VideoCredits: Portali Shkodrës
