Partizani do të luajë 2 ndeshje të rëndësishme në fund të fazës së parë të kampionatit. “Demat” fillimisht do të presin Egnatian në “Arenën e Demave” dhe mes tyre do të bëjnë llogaritë për javën e 8-të të kampionatit.
Por kryeqytetasit duket se kanë një “sy” edhe te dueli me Dinamon. Derbi do të luhet në mesjavë dhe do të jetë i vlefshëm për javën e 9-të dhe të fundit të fazës së parë. 3 futbollistë rrezikojnë të mos luajnë ndaj dinamovitëve dhe Egnatia ka në dorë “fatet” e tyre.
Gudjufi, Ismaili dhe Atanaskovski bëjnë me “dhimbje koke” Oltijon Kërnajën dhe stafin e tij. Të 3 futbollistët kanë nga 3 kartonë të verdhë dhe nëse ndaj rrogozhinasve do të ndëshkohen, atëherë nuk do të mund të luajnë në derbi.
Timonieri i të kuqve do të “shpresojë” që asnjëri prej tyre të mos ndëshkohet dhe ndaj dinamovitëve të ketë ekipin e plotë.
