
Erzeni nuk ia doli të sigurojë mbijetesën në sezonin e tyre të dytë në Superiore. Shijakasit e mbyllën kampionatin në vendin e parafundit dhe tani duhet të bëjnë planet për Kategorinë e Parë.
Rënia nga kategoria rëndon mbi klubin, por pesha e mungesës është akoma më e rëndë për elitën e futbollit shqiptar. Superiorja humbet Hirushen, skuadrën plot hijeshi, pasion, grintë, përultësi dhe respekt. Skuadrën e bukur që, ndryshe nga klubet e tjera të Superiores, menaxhohet dhe financohet nga drejtues-tifozë ‘puro’ shijakas.
Teksa flasim për tifozët, fjalët janë të tepërta për dashamirësit shijakas që i kanë qëndruar në mbështetje skuadrës. Dy vite në Superiore dhe kanë arritur të marrin zemrën dhe respektin e çdokujt. Nga 72 ndeshje të Superiores nuk luajtën qoftë edhe një në stadiumin e tyre ‘Tofik Jashari’, por ishin gjithnë në ‘transferta’.
Kryesisht në ‘Niko Dovana’ e ‘Arena Egnatia’, herë-herë në Elbasan apo kompleksin e Partizanit si dhe së fundmi në ‘Adush Muça’ të Ballshit. Këto ishin stadiumet që shijakasit i kthyen në shtëpinë e tyre falë tifozëve të cilët vendosnin rekord pas rekordi për prezenca në tribuna.
Thuajse rregullisht ishin mbi 2000 tifozë në stadium, shifra që sfidojnë edhe Tiranën e Partizanin. Mbajnë rekordin për transfertën më të madhe në “Arenën e Demave” ku përballë Partizanit kishin ‘pushtuar’ gjysmën e tribunës duke befasuar edhe tifozët vendas. Njëjtë edhe në Shkodër e Kukës, transferta të largëta, por jo për shijaksit pasi aty ku luan Erzeni, kilometrat janë vetëm burokraci.
Do t’i mungojnë Superiores, por do të pasurojnë Kategorinë e Parë dhe mbi të gjitha rikthehen në shtëpinë e tyre në “Tofik Jashari”. Misioni është një dhe i vetëm: Rikthimi në elitë. Dhe, me ndeshjet në stadiumin e qytetit, Erzeni me shijaksit do të jenë pretendentë të fortë për titullin kampion.