
Ditën e sotme në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’, u hodh shorti i Final Four ku mësuam çiftet gjysmëfinaliste. Egnatia gjen Vllazninë, ndërsa Partizani shortohet me Skënderbeun. Ky çift i fundit do të jetë i pari që do të çelë siparin e formatit të ri më 17 maj në orën 20:00, në Air Albania, ndërsa 2 ditë më vonë ndeshja tjetër.
Trajnerët e skuadrave respektive dhanë prononcimet e tyre të para pas shorti, por vetëm Edlir Tetova i Egnatias nuk u paraqit përpara medieve. Klubi rrogozhinas në një komunikim për mediet njofton se trajneri i tyre u detyrua të largohej për një problem personal duke e patur të pamundur të prononcohet.
Tetova do të thotë fjalën e tij për shortin në një moment tjetër, ndërsa në Rrogozhinë puna nis menjëherë pasi nesër do të përballen me Kukësin në finalen e Kupës së Shqipërisë, në orën 19:00 në “Air Albania”.