
Tirana do e presë Egnatian në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Ky takim do marrë jetën ditën e diel në orën 17:00.
Bardheblutë përfunduan në Durrës, pasi “Air Albania” dhe stadiumi “Selman Stërmasi” nuk mund të përdoren aktualisht. Stadiumi i Tiranës nuk është në gjendje optimale, ndërsa ndërkombëtari “Air Albania” po bëhet gati për sfidën e Shqipërisë me Gjeorgjinë.
“Elbasan Arena” nuk ishte një opsion po ashtu, pasi në të njëjtën kohë Dinamo do të jetë duke luajtur me Elbasanin. Bie në sy se stadiumi “Niko Dovana” është i treti në 2 vite, që Tiranës i është dashur të përdorë jashtë kryeqytetit.
Më parë kujtojmë se një pjesë e madhe e ndeshjeve janë luajtur në “Elbasan Arena”. “Arena Egnatia” e Rrogozhinës po ashtu u përdor nga Tirana në vitin 2023.
Kështu në 2 vite, Tirana ka “shtegtuar” në Elbasan, Rrogozhinë dhe Durrës. Ndeshja me Egnatian pritet të jetë dhe takimi i fundit, pasi nga java tjetër Tirana me shumë gjasa do i kthehet stadiumit “Air Albania”.