Futbolli shqiptar është sot në zi. Kjo për shkak të ndarjes nga jeta të ish mbrojtësit të Partizanit, Kristaq Eksarkos. Zemra e tij pushoi së rrahuri në moshën 66-vjeçare, duke lënë pas një dhimbje të madhe.
Ndërkohë që për ndarjen nga jeta të Eksarkos ka reaguar edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
Presidenti Duka shprehet se vdekja e Kristaqit është një humbje e madhe për komunitetin sportiv. Ndër të tjera thekson se kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në historinë e futbollit shqiptar.
REAGIMI:
Një lajm shumë i trishtë për futbollin shqiptar në këtë fundvit. Ndarja nga jeta e Kristaq Eksarkos, ish-futbollist i Kombëtares dhe i Partizanit, është një humbje e madhe për komunitetin tonë.
Kristaq Eksarko ishte pjesë e një brezi që la gjurmë në historinë e futbollit shqiptar. Ai kontribuoi me profesionalizëm dhe përkushtim si me fanellën e Kombëtares, ashtu edhe me atë të Partizanit. Dy tituj kampion dhe një Kupë Republike të fituara, si edhe paraqitjet e tij në ndeshje të rëndësishme ndërkombëtare, mbeten dëshmi e vlerave që ai përfaqësoi në fushë.
Në këto momente të dhimbshme, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe gjithë komunitetin sportiv. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në historinë e futbollit shqiptar.

