Tirana dhe Vllaznia do të përballen në kuadër të javës së 17-të të Superiores. Sfidë kjo e cila do të zhvillohet në “Selman Stërmasi”, në orën 13:30 ditën e shtunë. Një sfidë e mbushur me “halle” do të jetë Klasikja e Shqipërisë.
Kjo pasi forma aktuale e skuadrave po lë shumë për të dëshiruar. Siç dihet bardheblutë në këtë sezon janë në “pikë të hallit”, teksa kanë vetëm 1 fitore deri më tani, atë në derbin e parë me Partizanin.
Ndërkohë nga ana tjetër, shkodranët prej 5 javësh nuk e njohin fitoren. Rezultatet këto që kanë “futur” në krizë edhe kuqeblutë. 90 minutat e kësaj Klasikeje do të jetë shumë të luftuara dhe momenti “ideal” i ekipeve për të siguruar fitoren dhe për të “shkelmuar krizën”.
Por nëse shikojmë 10 duelet e fundit mes tyre, shikojmë një dominim të shkodranëve. 5 duele janë fituar nga kuqeblutë, kundrejt 2 të tjerave që kanë triumfuar bardheblutë. Nga ana tjetër 3 përballje kanë përfunduar në barazim.
Statistika këto që “motivojnë” Vllazninë për të marrë fitoren e dytë rresht ndaj kryeqytetasve në këtë sezon, pasi siç dihet kanë fituar Klasiken e parë me shifrat 3-1. Ndërkohë nga krahu tjetër te Tirana shpresojnë që të ndryshojnë historinë e këtyre përballjeve dhe të rikthehen te fitorja në Klasike pas më shumë se 2 vitesh.
