Vllaznia do të presë në shtëpi skuadrën e Flamurtarit dhe ditën e nesërme do të bëjnë mes tyre edhe llogaritë e javës së 18-të të kampionatit. Duel ky që do të zhvillohet në “Loro Boriçi” dhe do të startojë në orën 16:30.
Në prag të këtij takimi ka folur në konferencën për shtyp Bekim Balaj. Sulmuesi është shprehur mjaft i irrituar me ambientin e krijuar rreth Vllaznisë dhe fakti që të gjithë po e konsiderojnë si “krizë”. Sipas futbollistit kjo fjalë është e tepruar dhe po e fryejnë shumë diçka të tillë.
Ndër të tjera Balaj ka pranuar se skuadra nuk po kalon momentin më të mirë, por fitorja ditën e nesërme ndaj Flamurtarit dhe 3 pikëshi do t’i jepnin shumë besim dhe do të silnin edhe një frymë më pozitive. Gjithashtu u shpreh se shumë analista dhe specialishtë kanë dalë në hap që nisi “punën” kur Vllaznia ndodhet në një situatë jo të mirë.
“Sigurisht jemi të vetëdijshëm që vijmë në këtë ndeshje jo në momentin tonë më të mirë të mundshëm. Realisht kemi të nevojshme pikët, si është gjendja normalisht, duhet të shohim ndeshjen e radhës që është me Flamurtarin në Shkodër dhe duhet të synojmë tre pikët, kështu që për situatën që jemi, do të na ndihmonte goxha.
Të gjitha ndeshjet janë të vështira, trepikëshi ka vlerë me secilën skuadër. Po ta shohësh në bazë të kundërshtarëve, nuk mund t’i ndash, pasi kemi treguar që në ndeshjet e fundit, nuk kemi mundur të marrim trepikëshin ndaj kundërshtarëve me të cilët deri diku në letër favorizoheshim. Por siç e thashë, duhet të lëmë mbrapa ndeshjet që kanë kaluar dhe të fokusohemi te trepikëshi i radhës.
Penalltia e humbur me Tiranën? Duke parë edhe momentin që ishte ndeshja, realisht të vjen keq. Penalltitë i humbin ata që i gjuajnë. Jam aty për të marrë përgjegjësi dhe ajo ishte goxha përgjegjësi. E humba dhe ndoshta nuk vjen mirë pasi ndoshta do të na jepte një moral tjetër për ndeshjen, por vazhdojmë para, kështu është futbolli. Jemi aty për të marrë përgjegjësitë, nga unë i pari e te të gjithë.
Është mundësia gjithmonë për të kompensuar, si unë, si skuadra. E thashë që do synojmë trepikëshin e radhës dhe do bëjmë më të mirën që të mbyllim këtë vit më tre pikë.
Duke parë gjendjen e skuadrës, jemi të vetëdijshëm që nuk është momenti më i mirë, një moment që nuk vjen rastësisht, duke ditur situatën që kemi kaluar kemi pasur dëmtime, gjë që ka sjellë performancat jo të duhura, jo ato që kërkojmë të gjithë nga skuadra. Mendoj që nuk është momenti t’i hyjmë nëj analize të detajuar, pro duhet të jemi optimistë të gjithë dhe në këto momente duhet të jemi pranë skuadrës. Shkodra ka shumë tifozë që e duan Vllazninë dhe në këtë moment duhet të tregojnë që janë në mbështetje të skuadrës dhe janë aty, kur skuadra është në vështirësi t’i gjinden pranë. I gjithë ambienti sportiv i Shkodrës mendoj, duke u nisur edhe nga gazetarët, pasi kohët e fundit realisht kam parë një frymë deri diku jo të duhur ose që Shkodrës dhe Vllaznisë nuk i shkon për shtat apo nuk e favorizon për momentin që është. Kështu që pa përjashtim të gjithë duhet të jenë aty, se Vllaznia ka nevojë që në vështirësi ta mbështesin.
Unë mendoj që në këtë moment në Shkodër shtohen si specialistët e futbollit, si analistët e futbollit dhe sigurisht që reflekton një frymë jo pozitive. Mendoj që hallet dhe problemet tona duhet t’i mbajmë këtu, të jemi afër njëri-tjetrit në këto momente që zgjidhjen ta gjejmë dhe t’i shërbejë skuadrës për vazhdimësinë dhe jo deri diku ta zhysim apo të ngutemi e ta çojmë Vllazninë në krizë. Ndoshta edhe duke mos qenë një situatë që ka qenë për krizë, pasi krizën po e dëgjojmë prej shumë javësh, ndërkohë që Vllaznia me Elbasanin luajti për vendin e parë. Krizën po e dëgjojmë prej javësh, një javë më parë ishim në pikë të barabarta me Dinamon dhe në gjitha mediat flitet që Dinamo është për kampion dhe Vllaznia është në krizë. Prandaj duhet të jemi më të kujdesshëm në këtë moment dhe suportin ndaj skuadrës ta tregojmë edhe më shumë. Si në media, ashtu edhe në rrjetet sociale, sepse ka shumë që punojnë, ka shumë që punën e nisin kur Vllaznia është në krizë dhe në siklet. Por besoj reflektimi do të jetë në shkallët e stadiumit, aty duhet të vijnë tifozët dhe të tregojnë mbështetjen për skuadrën.
Skuadra është imune, por fryma e ndërtuar nuk është e duhura besoj. Fryma që është ndërtuar rreth e rreth skuadrës e reflekton edhe në shkallët e stadiumit këtë frymë që ngutemi ta krijojmë, e reflekton edhe me mungesën e tifozëve në stadium. Vllaznia nuk shpallet dot kampion me 10 javë, 5 javë apo 15 javë. Kampionati është i gjatë, duhen marrë ndeshjet një nga një. Besoj që me dy fitore prapë Vllaznia është aty ku duam të gjithë, prapë pretendente. Kështu që ngutemi të krijojmë situata, me kriza apo probleme të ndryshme që në fund nuk i shërbejnë aspak skuadrës dhe interesave të Vllaznisë.
Ne jemi në kërkim të këtij trepikëshi që do të na jepte frymë e besim. Besoj që edhe vetë skuadra deri diku po vjen në përmirësim e sipër, po vjen gjendja e lojtarëve që siç thashme kanë pasur probleme e dëmtime nga më ët ndryshmet, forma e disa lojtarëve duke e nisur nga unë i pari, që nuk ka qenë më e mira e mundshme. Siç e thash ka arsyet e veta pse ka ndodhur, por nuk jemi këtu për të qarë hallet, por thjesht për të thënë si kapiten i skuadrës dhe si shkodran që ndjen përgjegjësinë që t’i rrimë afër Vllaznisë në momente të vështira se vetëm kështu ecim para”, ka deklaruar kapiteni i shkodranëve.
