
Pesë tifozë janë shoqëruar në komisariat pas një përplasjeje të dhunshme me policinë gjatë ndeshjes së futbollit mes ekipeve "Vllaznia" dhe "Tirana", e cila u zhvillua mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.
Incidenti ndodhi rreth orës 20:30, kur pas shënimit të një goli, një grup tifozësh të ekipit të Tiranës hodhën lëndë piroteknike në fushë, duke krijuar një situatë të tensionuar. Policia ndërhyri duke identifikuar autorët, por përballë tentativës për t'i shoqëruar, disa tifozë reaguan me dhunë.
Pavarësisht rezistencës, pesë persona u shoqëruan në Komisariat për veprime të mëtejshme. Ndërkohë, grupi hetimor është duke punuar për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Shkodër/Informacion paraprak.
Rreth orës 20:30, të datës 25.08.2024, në stadiumin “Loro Boriçi”, Shkodër, ku zhvillohej ndeshja e futbollit e kategorisë superiore ndërmjet ekipeve “Vllaznia- Tirana”, pas shënimit të golit, tifozët e ekipit të Tiranës, hodhën në fushë lëndë piroteknike.
Shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë duke identifikuar personat që hodhën lëndët piroteknike në fushë.
Në momentin që shërbimet e Policisë do shoqëronin personat e dyshuar, janë kundërshtuar me dhunë nga disa tifozë.
Policia ka zbatuar procedurat standarde të punës për shoqërimin në Komisariat të pesë personave, për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.