Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

OPINION/ Nuk “burgoset” fanela e Elbasanit! Futbolli për liri, jo për politikë

Shkruar nga NEWSPORT
OPINION/ Nuk “burgoset” fanela e Elbasanit! Futbolli për liri,
Skuadra e Elbasanit brenda ambienteve të burgut

Nga Retin TOKA

E ndoqa me kërshëri dje entuziazmin e shtetarëve në rrjetet sociale, në fakt nuk isha aspak në dijeni, që në ambientet e burgut të Elbasanit do të kishte vend edhe për lojtarët e Superligës Shqiptare. Për ata futbollistë që kanë derdhur djersë, kanë vrapuar në fushë me baltë, pa baltë, me bar, pa bar, me barkun plot apo me barkun bosh, dje u detyruan të shndërrohen në aktorë të një skenë të përgatitur nga hierarkia më e lartë drejtuese e burgjeve.

Të mësuar për të qenë profesionistë, edhe dje iu desh të bënin të njëjtën gjë dhe sipas kontratës së firmosur, gjithmonë “gati-tu” për drejtuesit e klubit në të cilin bëjnë pjesë.

Ngjarja e djeshme padyshim që më solli emocione të përçara, më së shumti kur në faqen kryesore të njoftimeve, shquaja më shumë drejtues dhe vetëm dy-tre fotografi i kushtoheshin atyre që janë mësuar të ngrenë peshë një stadium të tërë. E natyrisht kjo sjell një reflektim të thellë mbi rolin e sportit në jetën tonë. Por, le të jemi të sinqertë: Futbolli nuk duhet të lidhet kurrë me politikën dhe situatat e vështira shoqërore.

Ky është rregulli numër një nga qeveria europiane e futbollit e ne, shqiptarët, e dimë mjaft mirë rëndësinë e saj. Mjafton të kujtojmë tentativat për të përfshirë në kupolat drejtuese të sportit në vend, njerëz të lidhur drejtëpërdrejtë me politikën, por u sprapsën sepse në Shqipëri shkeli pikërisht Europa.

Natyrshëm që shumë pyetje na lindin vetiu duke menduar iniciativën pozitive, por asesi s’mund ta marrësh të tillë kur brenda hekurave sheh të vallëzojë në fushë fanela e një klubi emblematik. A është e drejtë që një ngjarje sportive të përdoret për të adresuar çështje kaq delikate? A jemi ne duke e ngarkuar futbollin me përgjegjësi që i përkasin konteksteve më të thella shoqërore? Fundja, nëse duhet t’i shohim sipas parimit të prezumimit të pafajësisë, pse mos të krijohen kushtet për t’i ndjekur në fushën e lojës dhe jo në atë “luftës”?

Ata që ishin në fushë, bindshmërisht e di që ia dinë mirë vlerën magjisë së këtij sporti. Ai na bashkon, na ndihmon të harrojmë hallet e përditshme për disa çaste, por kur e lidhim me rrethana të tilla, e ndiejme se po humbasim diçka thelbësore, lirinë. Çfarë mesazhi po dërgojmë? Vërtetë futbolli unifikon gjithë shtresat e njerëzve në gjithë botën, por a jemi ne të gatshëm si shoqëri të pranojmë që ky sport të bëhet një mjet për të adresuar sfida të tilla?

Mënyra se si e trajtojmë lojën e topkëmbëshit, padyshim është e rëndësishme. Habitati i tij duhet të jetë një hapësirë e pastër, ku të gjendet gëzim, unitet, por edhe shpresë. Pavarësisht rrethanave, duhet të jetë një lojë për të përjetuar emocionet e një përballje plot adrenalinë. Futbolli është sporti më i ndjekur në botë, është si një urë lidhëse mes gjithë njerëzve. Por, është e rëndësishme që të ruajmë integritetin e tij, për të mos lejuar që të humbasë bukurinë dhe fuqinë e vet. Çdo ndeshje le të mbetet një festë e pasionit dhe veçanërisht e lirisë, pa hekura nga pas, por në atë lirshmërinë që të jep gjithmonë fusha e madhe plot gjallëri.

Ndërsa shkruaja këto rreshta në mendje më vinte filmi “The Longest Yard”, ku një grup të burgosurish krijon një skuadër futbolli për të sfiduar gardianët e tyre. Edhe pse fillimisht u pa se do të krijonte një ndjenjë bashkimi dhe shprese, historia nxjerr në pah tensionet dhe sfidat që dalin kur futbolli, si simbol i lirisë dhe argëtimit, përfshihet në një mjedis kaq të kufizuar dhe të rreptë. Ndaj, le ta lëmë futbollin të lirë…

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga