Nuk do të jetë një derbi si gjithë të tjerët, ai i kësaj të diele mes Tiranës dhe Partizanit.
Përballen dy skuadrat kryesore të kryeqytetit, por këtë sezon të dyja ndodhen shumë larg pritshmërive të zakonshme. Tirana vjen pas humbjes 6-2 ndaj Dinamos, ndërsa Partizani pas fitores 1-0. Në përballjen e parë të sezonit fitoi Tirana, në fitoren e saj të vetme deri tani.
Statistikat e të dy ekipeve nuk janë ato që zakonisht shohim nga Partizani dhe Tirana.
Partizani është skuadra e dytë me më pak zotërim topi në Abissnet Superiore, me mesatare 44.6% (më pak ka vetëm Bylisi). Gjithashtu, me 76.3% pasime të sakta, Partizani gabon më shumë se çdo skuadër tjetër në fazën e zotërimit të topit.
Nga ana tjetër, Tirana është ekipi që po pëson më shumë goditje në portë në gjithë kampionatin, rreth 12.5 për ndeshje — dyfishi i Teutës, që pëson më pak. Tirana renditet e treta për përqindjen e goditjeve në portë me 37.6%, ndërsa Partizani është i fundit me vetëm 21.8%.
Të dyja ekipet kanë përqindje të mira në duelet mbrojtëse, pasi të dyja janë mbi 60%. Megjithatë, këto të dhëna janë larg standardit që zakonisht vendosin Partizani dhe Tirana, dhe situata kërkon vëmendje maksimale për të shmangur rrezikun e një sezoni të dështuar.
Në atmosferën e veçantë të stadiumit Air Albania, tensioni dhe intensiteti i këtij derbi pritet të jenë në qendër të vëmendjes, në një mbrëmje që mund të shënojë pikën e kthesës për njërën prej skuadrave.
